E ëmbël vetmia pasdites së dielë,
pasdites së ftohtë, të bardhë, me diell,
me diell të fildishtë
prej dimri skalitur në ajër të kristaltë,
një viti të brishtë.
Rrëshqet vetmia poreve të ngrira
të lëkurës së akullt,
mbi akull... fëmija
lot, çapitet, lëkundet,
bie.
Kërcet vetmia në mijëra grimca të thyera,
çarë thikash shkëlqyese, të çelikta,
gërricur majash të mprehta, të përpikta,
në hedhje, spërdredhje, rënie të lira
vajzash të zhdërvjellta.
Pengohet vetmia lëvizjeve të mia,
lëvizjeve të ngurta, të reja, të mpira
kyçesh mbërthyer kambaleve të serta
me presat e rënda,
me majat e mprehta.
Dhe derdhet vetmia qytetit përposhtë,
kortezhesh karnavalesh – lemerisjesh paqësore,
mes vargjesh veturash, rrugës gjarpërore
të Alpeve,
me vijat e bardha – rruaza të shtyllës tënde kurrizore.
E ndizet vetmia llambushkash rrumbullake,
e harliset copëzash kujtimesh, trillimesh,
një hyrje, dy dalje,
i lidh, i qep, ngjyros, shngjyros, nën qiellin rozë
të një katedraleje.
(Po për daltonikë si ti, askush nuk e di,
mesditë e perëndim, ndoshta janë nji'.)
4 comments:
hey or ti!
kjo poezi na u ba si pershendetja e mengjesit!
duam poezi te re oj cuce!
e shpejto pak!!!
Hey more, po punët e mira bahen avash avash, bre, ka thanë populli. T'u rrit' nera!
me pelqen! krahasimet shume te lezetshme!
Kendshem!
Post a Comment